Protesta e thirrur këtë të shtunë nga opozita pritet të nisë në orën 11:00. Autobusë e mjete private nga qytete të ndryshme të vendit janë nisur drejt Tiranës, që në orët e para të mëngjesit. Protestuesit pritet të marshojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit drejt institucionit të Kryeministrisë.
Për mbarëvajtjen e kësaj proteste janë angazhuar rreth 1200 efektivë të policisë dhe Gardës së Republikës. Reparti special i forcave RENEA, por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur në pjesën e pasme të godinës së Kryeministrisë. Mes Kryeministrisë dhe Piramidës janë vendosur barriera metalike për të penguar hyrjen e protestuesve drejt selisë së qeverisë.
Pas protestës së 16 Shkurtit, ku një grup personash thyen derën e Kryeministrisë dhe tentuan të futen brenda institucionit, Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e protestës. Disa kamera me rezolucion të lartë janë instaluar përgjatë bulevardit ?Dëshmorët e Kombit? për të bërë të mundur identifikimin e personave problematike.
Forcat zjarrfikëse do të jenë sërish brenda godinës së Kryeministrisë dhe pritet të përdorin ujin nëse individë të caktuar tentojnë të hyjnë në ambientet e brendshme. Edhe dera kryesore e Kryeministrisë është përforcuar, ku është ngritur një skelë mbrojtëse e mbuluar me rrjetë./tvklan.al