Bizneset e fermave të prodhimit të qumështit ndodhen në udhëkryq për shkak se nga nesër, ata nuk dinë se ku do të shesin prodhimet e tyre.
Flutura Gjeka ka 16 vjet që punon në blegtori, biznes të cilin tregon se e ka filluar me sakrifica, të cilin e ka zgjeruar nga pak çdo vit. Por për të kjo është dita e fundit që po bën mjeljen e bagëtive.
Ajo thotë se prej të martës, tregtarët vendas do të refuzojnë të blejnë prodhimet e tyre. Shkak është ndryshimi ligjor i Dhjetorit ku është ulur kompensimi për tatimin mbi vlerën e shtuar për fermerët nga 20 në 6%, çka bën që ata duhet të shesin më lirë porduktet e tyre.
Ulja e kompensimit të TVSH-së për fermerët po detyron edhe blegtorët e Biçukasit në Divjakë të shesin bagëtitë dhe të emigrojnë.
Një tjetër protestë e madhe e fermerëve e blegtorëve është lajmëruar në Lushnjë, ndërsa grumbulluesit kanë marrë vendimin për të mos blerë më lëndë të parë në tregun vendas.
Industria e parë që preket është ajo e qumështit, ndërsa me sezonin pranveror do të jenë edhe produktet e tjera që nuk do të kenë treg për t'u shitur. Një javë më parë blegtorët derdhën qumështin në rrugë në shenjë simbolike për të treguar mungesën e tregut.
Tv Klan