Report Tv - Krimet e Rënda marrin në dorë hetimin e vrasjes së avokatit në Elbasan

Report TV 2019-03-29

Views 0

Avokati i njohur, Ravik Gurra, u ekzekutua mbrëmë në një atentat mafioz në mes të qytetit të Elbasanit duke u vrarë me silienciator me një plumb në kokë. 50-vjeçari, mbrojtës ligjor i një prej fiseve më të njohura në Elbasan, Çapjave, ishte ulur në një lokal shumë pranë Kalasë së Elbasanit, kur një person është afruar në këmbë dhe e ka qëlluar me armë në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Bashkë me të në tavolinë ishte edhe një ekspert i Avokatit të Popullit, i cili nuk ka marrë lëndime. Autori më tej i ndihmuar edhe nga një tjetër u largua me një automjet Mercedez Benz me targë AA 934 HU, e cila u gjet e djegur nga policia në Bradashesh, pak pas krimit të rëndë.

Më tutje, autorët dyshohet të jenë arratisur me një tjetër automjet, dhe deri më tani, edhe pse janë ngritur postblloqe të shumta, nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Për shkak se i ndjeri ishte avokat, vrasja e tij do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë për akuzën e "Vrasjes së funksionarëve publikë". Prokurori Behar Dibra ka qenë mbrëmë në vendin e ngjarjes për një sërë veprimesh hetimore.

Dy drejtimet ku po fokusohen hetimet janë hasmëritë mes dy bandave kriminale në Elbasan, pasi kujtojmë se Gurra ka mbrojtur në Gjykatë disa nga anëtarët e fisit Çapja. Ndërsa pista tjetër ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës, pasi Ravik Gurra ishte pjesë e mbrojtjes ligjore në procesin gjyqësor kundër Emiljano Shullazit. Policia kriminale ka shoqëruar dhjetëra persona në Elbasan ndërsa janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth vendit të krimit.

Share This Video


Download

  
Report form