Ndryshimi i targave identifikoi vrasesit e Kurtit

RTV KLAN 2019-05-22

Views 0

Ndryshimi i targës së makinës që përdorën për vrasjen e Jurgen Kurtit, ka çuar në identifikimin e autorëve. Mjeti Mercedes Benz me të cilin u larguan 4 atentatorët i përket 38-vjeçarit Klodian Bane, lindur në Patos e banues në Fier.

Për ta përdorur për vrasjen, ai i kishte vendosur targa false, të cilat i ka hequr pak minuta pas krimit dhe ka vendosur targat origjinale, në mënyrë që të humbte gjurmët.

Por momenti i ndërrimit të targave, disa kilometra larg rrugës ?Zef Jubani?, ku u krye vrasja, është fiksuar nga disa kamera sigurie, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Në pamjet filmike, që janë në duart e prokurorëve, shihet qartësisht numri i targës origjinale, çka çoi edhe në identifikimin e pronarit të makinës, e cila u gjet në shtëpinë e njërit nga 3 bashkëpunëtorët e 38-vjeçarit.

Elsi Levendi, Alesio Berberi dhe Olsi Qalliu janë në burg, si bashkëpunëtorë të tij. Edhe ata janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e stadiumit Dinamo, ku banonte Kurti. Elsi Levendi dyshohet se ruante lëvizjet e viktimës Jurgen Kurti dhe në momentin që ai ka dalë nga palestra ka njoftuar personat e tjerë. Atentatorët kanë qëlluar teksa makina ka qenë në lëvizje, në momentin që Kurti po hynte në pallatin ku jetonte.

Të rinjtë e arrestuar, nuk e kanë pranuar krimin. Një prej tyre ka pohuar njohjen me të kërkuarin Bane, por jo bashkëpunimin në vrasje.

Policia thotë se provat janë të pakundështueshme. Por motivet vijojnë të mbeten mister. Hetuesit kanë dyshime se të arrestuarit mund të jenë paguar për të realizuar vrasjen për llogari të dikujt tjetër.

Pistat kryesore të hetimit janë ato të hakmarrjes ose konflikteve të mundshme të viktimës.

Jurgen Kurti u akuzua për vrasjen e Agim Arapit, në Prill të vitit 2017, por familja Arapi ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e tij. Megjithatë, djali i viktimës Dervis Arapi, është shpallur në kërkim policor, pasi kërkohet të japë shpjegime se ku ka qenë në kohën e atentatit ndaj Kurtit.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form