TIRANE-Katër të arrestuarit për grabitjen e kambistit Agron Shima paraditen e së premtes janë lënë në masën e sigurisë arrest me burg nga gjykata. Të arrestuarit, njëri nga të cilët është autor i grabitjes, teksa tjetri është në kërkim dhe tre të tjerët që u prangosën më pas si bashkëpunëtorë do të qëndrojnë në qeli. 35-vjeçari Elvis Tafa i arrestuar në flagrancë ditën e premte ka zbardhur emrin e shokut me të cilin realizoi grabitjen dhe përgatitjet që kishin bërë.
Para oficerëve të Policisë Gjyqësore Tafa ka deklaruar se e ka realizuar vjedhjen me dhunë të kambistit në bashkëpunim me Xhoni Didon. "Të premten dola nga shtëpia në orën 05:00 dhe shkova takova Xhoni Didon tek "Kthesa e Kamzës". Atje kemi ndërruar rrobat dhe përmes një motori të Xhonit kemi shkuar tek 9-katëshet. Disa ditë më parë, Xhoni më kishte treguar për vendin dhe personin që do të grabisnim.
Kur mbërritëm tek vendi kemi ndaluar motorin dhe kemi bërë sikur po i rregullonim gomën. Pas 20 minutash aty po kalonte kambisti me motor. Xhoni i ra me levë dhe ai ra nga motori. Pasi i mori lekët hipëm në motor ku i jepja unë dhe u drejtuam nga rruga e 'Barrikadave'. Tek kryqëzimi pashë një makine policie dhe desha të devijoj, por Xhoni me tha të ecja drejt. Meqë nuk iu binda ai me qëlloi me levë dhe kam humbur ekuilibrin duke rënë nga motori.