Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi së bashku me disa protestues të tjerë opozitarë kanë pritur kryeministrin Edi Rama me protesta gjatë vizitës pasditen e sotme në fshatin Linas të Mollasit në Elbasan. Në një moment situata është tensionuar duke sjellë ndërhyrjen e policisë për të hapur rrugën nga protestuesit që të kalonte eskorta, por ish-deputeti demokrat akuzon se nëndrejtori i policisë së Elbasanit Albert Nushi e kërcënoi me jetë.
Nushi në kohën kur ishte drejtor i Policisë së Fierit, u përfshi në përgjimet e dosjes "Babale 2", pasi Fredi Alizoti që pretendon se ka bërë zërin e vëllait të ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka pasur komunikime telefonike me drejtorin, Albert Nushi.
"Ishte një përplasje fizike me ish-drejtorin e Fierit, atë që paguante Fredi Alizotin, që ka dy akuza të rëndë në kurriz të tij dhe na e kanë sjellë për të pastruar në Elbasan. Ishim në bordurën e urës për protestën tonë. Protesta nuk kishte nisur.
Me atë brutalitetin e tij, na ka kërcënuar me jetë, më ka kërcënuar mua. Nuk është gjë e mirë që e them LIVE, por e vërteta është e vërtetë. Këto janë ato ish-drejtorët që e kap për veshi Fred Alizotin në përgjim dhe bën cubin me qytetarët me ne.