Admir Murataj, kapoja i bandës së grabitësve të bankave që u vra në episodin e fundit para tre ditësh në Rinas dhe familjarë të tij rezultojnë me një pasuri mijëra euro, të cilat janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Report Tv mëson se kërkesa e prokuroria ka ardhur para ngjarjes së fundit, pasi Admir Murataj është akuzuar si organizator edhe i tre blindave të tjerë me miliona euro, dy në vitin 2015 dhe një në vitin 2017.
Për këto episode, përveç anëtarëve të grupit që u kapën dhe u dënuan (për Admir Muratajn u vendos pezullim i gjykimit), prokuroria nisi hetimin pasuror për të gjithë familjarët e Muratajt dhe në fund kërkoi masën e sekuestros për 300 mijë euro dhe 16 pasuri nga makinat luksoze, te vilat, apartamente, pemëtore dhe të tjera.
Report Tv ka siguruar listën me 16 pasuritë që 14 familjarëve të Admir Muratajt janë sekuestruar. Sipas prokurorisë, Admir Murataj, vëllezërit e tij Can dhe Aleksandër Murataj, gruaja, por edhe anëtarë të tjerë të familjes nuk i justifikojnë pasuritë që kanë duke krijuar dyshime se janë vendosur nga veprimtaria kriminale.