Zgjedhjet europiane do të ndryshojnë krejtësisht ekulibrat politikë në gjirin e Bashkimit Europian. Për herë të parë pas shumë vitesh, qendra e djathtë dhe e majtë europiane nuk do kenë më shumicën në Parlamentin Europian. Humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, sipas sondazheve, pritet të jetë qendra e majtë, por edhe qendra e djathtë pritet të shënojë rënie të konsiderueshme.
Tre janë pyetjet që shtrohen sot në ditën e parë të zgjedhjeve europiane: A do të ketë një fitore të thellë të së djathës ekstreme? Çfarë ndikimi do të ketë kjo në politikën e zgjerimit dhe a do të arrijnë të gjelbërit të bëhen forca e tretë në nivelin europian për të ndryshuar axhendën europiane në mbrojtje të planetit dhe të ambientit?
Kjo do të jetë hera e parë që qendra e majte (S&D) dhe e djathte (EPP) e Parlamentit Europian do të humbasin shumicën e tyre absolute që prej vitit 1979. Së bashku, ato pritet të humbasin 50 % të vendeve në Parlamentin Europian. Kjo komplikon formimin e një mazhorance, që duhet të ndërtohet tashmë edhe me grupime të tjera. Si rrjedhim, vendimmarrja në institucionin e përfaqësuesve të popullit bëhet më e vështirë dhe bashkë me të edhe zgjedhja e Presidentit të Komisionit Europian. Por ky ndryshim ekuilibrash do të ndikojë edhe në politikën e zgjerimit në Bashkimin Europian.
Kjo pasi janë këto ekuilibra forcash politike që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek përcaktimi i zgjerimit si prioritet ose jo për 5 vitet e ardhshme të legjislaturës europiane. Zgjerimi mbetet një proces i gjatë dhe i vështirë në rendin e ditës, por kjo mund të ndryshojë nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga Bashkimi Europian. Ndërkohë, një fitore e konsiderueshme e të gjelbërve në nivel europian është mbështetje edhe për zgjerimin, duke qenë se ky grup ka favorizuar gjithnjë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE.
Tv Klan