Përmes një ceremonie madhështore është përuruar autostrada, “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Kjo u cilësua si një rrugë që do të shërbej si një urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje që do të përfiton gjithë rajoni i Ballkanit.
Pjesë e këtij inaugurimi ishin krerët institucional të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Ndërsa të ftuar ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo ditë është e veçantë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin ballkanik.
Sipas tij ky është një investim i fuqishëm, por që ka pasur vlerë.
“Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë këtë autosradë, sot ia kemi arritur. Kjo është Kosova e re, moderne dhe evropiane”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh se me anë të kësaj autostrade Kosova po lidh ura të bashkëpunimit me fqinjëve.
“Sot po tregojmë që Kosova është faktor stabiliteti që po ndërton ura që i lidh shtetet fqinje. Po lidhemi edhe ura të bashkëpunimit mes popujve”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit.
“Kjo rrugë na afron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën. Kjo i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por dhe rajonit. Shpresoj që bashkë me mikun tim, Zoran Zaev që së bashku të takohemi në anën tjetër për të përuruar pjesën e Maqedonisë së Veriut. Është bërë kujdes që ky investim të bëhet në përputhje në aspektet ligjore, kemi pasur pak pengesa, por kemi realizuar qëllimin”, tha ai.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se kjo autostradë prej sot do të bëhet rrugë komunikacioni që do të mundësojë qarkullimin më të shpejtë dhe se kjo autostradë është një shpërblim për durimin dhe lidhjet e shumta që Kosova i ka me Maqedoninë e Veriut.
Fjalë të mëdha për këtë autostradë kishte dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Kurse ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnnet po ashtu tha se me anë të kësaj autostrade do të përfitojë gjithë rajoni.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u shpreh se përkushtimi i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë në ndërtimin e autostradave të tjera dhe se 65.5 kilometrat e kësaj autostrade do të lidhin Prishtinën me komunat tjera, vendin tonë me Maqedoninë e Veriut.