Pjesëmarrje e padëgjuar më parë në katër muaj protestë - e quajti lideri demokrat Lulzim Basha tubimin e tetë kundër qeverisë. Pjesëmarrja sipas Bashës fakton se ata janë shumica. Nuk do të ketë asnjë hap pas - theksoi ai - duke thënë se vendi meriton zgjedhje të lira dhe me standarde.
Sa i përket episodeve të dhunës ku militantët hodhën kapsollë ndaj policisë tek Parlamenti, Basha tha se janë provokime nga qeveria.
"Fjalët nuk e përkufizojnë dot këtë pjesëmarrje gjigante. Shenjë e qartë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zëri i sovranit ka diktuar dhe do diktojë. Është zëri i bashkuar i çdo shqiptari të ndershëm që lufton për vlerat dhe dinjitetin personal. Kjo i ka bashkuar qytetarët në protestën më kombëtare dhe më europiane që ka njohur vendi ynë. Qëndresa dhe vendosmëria është forca jonë. Forca juaj është e pandalshme. Është forca juaj që zgjoi nga terrori, varfëria dhe propaganda kriminale, zëri juaj kumboi nga Blerin në Bruksel, në Londër dhe Uashington. Zëri juaj dëshmoi se populli nuk mund t'i vërë çizmen në qafë, aq më tepër kreu i bandës kriminale në pushtet. Forca juaj sa vjen e shtohet, siç shtohen radhët e protestave tona. Ndaj sot kulari është në qafën e tiranisë, do ta tërheqim me duart tona, më vendosmëri dhe dashurinë për këtë vend derisa ta rrëzojmë tiraninë. E sotmja është një mbrëmje e rëndësishme për betejën tonë. Ne nuk do hedhim asnjë hap pas. Shqiptarët meritojnë dhe do kenë qeverinë europiane", deklaroi Basha.