SHKODER - Një miting i pazakontë, me përplasje, tensione dhe gaz lotsjellës. Kryeministri Edi Rama mbërriti në kryeqendrën e Veriut, mes protestave të organizuara nga kryebashkiakja Voltana Ademi, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka, kryedemokrati i Shkodrës, ish-deputetë dhe zyrtarë të tjerë të djathtë. Militantët e PD-së i nisën incidentet me policinë duke e sulmuar me gurë dhe shishe ndërsa kryeministri Edi Rama ishte ende në takim elektoral në Bashkinë e Vaut të Dejës ku prezantoi kandidatin Mark Babani. Përplasjet u shtuan kur turma tentoi të çante kordonin e sigurisë, ndërsa efektivët u kundërpërgjigjën disa herë me gaz lotsjellës.
Përballë gjithë kësaj situate, ndërsa kryeministri kthehej nga Vau i Dejës, takimi në Shkodër u shty me 45 minuta. Kreu i qeverisë mbërriti në Shkodër mes tymit e gazit lotjsllës, ku nuk la pa përmendur atë se cfarë po ndodhte në antimitingun në krahun tjetër të pedonales "Kolë Idromeno". E quajti Voltana Ademin kryebashkiaken më të paaftë të ulur ndonjëherë në karrigen e një drejtuesi vendor në të gjithë Shqipërinë. Tha se me kandidatin socialist Valdrin Pjetrin Shkodra do të transformohet e për këtë dha shembullin e ndryshimit thuajse rrënjësor që ka pësuar qyteti bregdetar i Vlorës. Shkodra do të jetë sfida e tij personale për 4 vitet e ardhshme siç kryeministri u shpreh.
Më herët disa militantë tentuan t'i bllokojnë rrugën duke dalë në kryqëzimin e Dajçit. Por kreu i qeverisë zgjodhi një tjetër rrugë duke nisur pa incidente takimin e parë elektoral në Vaun e Dejës.
Shkodra ishte thuajse e blinduar nga prezanca e forcave të policisë, kjo pasi kryebashkiakja Ademi refuzoi të jepte leje për takimin elektoral të Ramës me argument dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.
Shkodra ju rikthye normalitetit në pak minuta, ndërsa simpatizantët e të dyja forcave politike u takuan mes tyre, sapo e gjithë situata e krijuar politike përfundoi.