Është gjetur trupi i pajetë i 31-vjeçarit Doland Molla, nga Skrapari, i cili u zhduk ditën e djeshme në plazhin e Currilave në Durrës. Ashtu siç edhe dyshonte policia ditën e djeshme, 31-vjeçari është gjetur i mbytur në det.
Kanë qenë shokët e tij të cilët kanë njoftuar fillimisht rojen bregdetare për zhdukjen e të riut. Sipas rojeve disa të rinj kishin njoftuar se pasi ishin futur në det për tu larë me të, Doland Molla nuk u pa më.
Kjo ngriti dyshimet se i riu ishte mbytur dhe policia njoftoi edhe rojet kufitare për të kërkuar në det të riun. Në dispozicion u vunë disa punonjës të policisë kufitare dhe të policisë së Shtetit të cilët me ndihmën e mjeteve lundruese bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 31-vjeçarit.
Kujtojmë se ditën e djeshme është zhdukur edhe një 18-vjeçar tek Rana e Hedhun në Shëngjin. Familjarët kanë nisur kërkimet për të riun por ende nuk e kanë gjetur. Ndërsa po ditën e djeshme në plazhin e Velipojës tre pushues rrezikuan të mbyten në det por fatmirësisht janë shpëtuar nga pushuesit e tjerë.