Temperaturat e larta kanë bërë që në fundjavë të ketë një dyndje të pushuesve drejt brigjeve të Shqipërisë. Ditën e sotme një numër i lartë pushuesish kanë zgjedhur jugun e vendit, por fluksi i madh i makinave ka bërë që të krijohet një trafik tepër i rënduar në Radhimë të Vlorës.
Sipas gazetarit të Report Tv, Armand Xhelili, në askin Radhimë-Vlorë prej një ore është bllokuar qarkullimi si pasojë e trafikut të rënduar. Në pamjet e siguruara nga Report TV shihet teksa shoferët që kanë mbetur në trafik kanë fikur makinat dhe kanë dalë jashtë automjeteve për shkak të 'izolimit' në trafik.
Një situatë e ngjashme është shfaqur edhe në brigjet e Adriatikut. Rreth 30 mijë pushues të ardhur nga Kosova për në bregdetet shqiptare, gjatë kthimit kanë krijuar radhë të gjata në doganën e Morinës. Gazetari i Report Tv Benet Beqiri raporton se gjendja e trafikut është e rëndë në hyrje të qytetit dhe vijon nga Fusha e Dukagjinit deri në doganën e Morinës.
Patrullat e përbashkëta policore të Kosovës dhe të Shqipërisë po përpiqen të lehtësojnë trafikun.