Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi intervistat e para me kandidatët për SPAK-un, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Paraditen e së hënës u morën në pyetje Altin Dumani, drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror tek Krimet e Rënda, Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Pas seancave dëgjimore, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi shpjegoi se pse nuk ishin të hapura për median siç ishte njoftuar më herët.
"Janë diskutuar dhe çështje që kanë të bëjnë me çështje konkrete penale, disa kanë qenë të famshme për publikun. Morëm një mendim të sinqertë nga kandidatët për vështirësitë që kanë hasur në këto raste dhe mënyrën si kanë reaguar".
Kreu i KLP-së ka sqaruar se nëse kandidatët e SPAK do të dalin me rezultate të larta në këtë proces, kjo nuk do të thotë se shpëtojnë nga Vettingu.
"Ekziston mundësia që këto dy procese të arrijnë në rezultate të kundërta në kuptimin që ne konfirmojmë dikë si një prokuror me profesionalizëm të lartë dhe nga ana tjetër Vettingu të mos e konfirmojë për shkak të integritetit. Sidoqoftë kam besimin se në përgjithësi këto dy procese do të shpien drejt rezultateve të njëjta".
Procesi i fundit që do të mbyllë dhe ngritjen e SPAK nisi këtë të hënë dhe do të përfundojë më 12 Korrik për 22 kandidatët që garojnë për 15 vende të parashikuara për SPAK.
Tv Klan