TIRANË- Arben Kraja, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra do të jenë prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme, e projektuar për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri, që pas rënies së sistemit komunist dhe në vijim. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, disa ditë më parë, shpalli 15 kandidatë, të listuar sipas aftësive profesionale, karakterit të fortë, vendosmërisë dhe dosjeve që kanë pasur në duar, për t?u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. 28 prokurorë, kryesisht të Krimeve të Rënda, aplikuan për 15 vende vakante në SPAK. Ndërkaq, që 15 pretendentët të emërohen përfundimisht në Prokurorinë e Posaçme ata duhet të kalojnë me sukses procesin e Vetingut, duke u konfirmuar në detyrë me vendime të formës së prerë. Në listën me 15 kandidatë të shpallur nga KLP, 7 kandidatë janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut. Ata kanë kaluar me sukses të tre testet: Ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Nga ana tjetër, Komisioneri Publik nuk ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet e KPK për konfirmimin e tyre në detyrë, duke u dhënë vendimeve formën e prerë. Në këto kushte, 7 pretendentët e lartpërmendur do të jenë prokurorët e parë të SPAK-ut. Emërimi i tyre nga KLP si prokurorë të Prokurorisë së Posaçme tashmë është vetëm çështje kohe. Mbi ta ?rëndojnë? shpresa e madhe e shqiptarëve, investimi historik i SHBA-BE, besimi dhe të gjitha pritshmëritë për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, një ndër kushtet kryesore për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Ndërkaq, për 15 vendet vakante në SPAK, KLP ka renditur si pretendent edhe prokurorin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, Besnik Muçi, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e tij nga detyra, me pretendimin se nuk justifikon pasurinë. Kolegji i Posaçëm nuk është shprehur ende me vendim për fatin e Muçit. Shtatë precedentët e tjerë për t?u bërë pjesë e SPAK-ut, Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Ndini Tavani dhe Anita Jella janë në proces rivlerësimi i nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të presë që edhe pretendentët e tjerë të kalojnë procesin e Vetingut, për t?i emëruar në Prokurorinë e Posaçme. Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sipas një tjetër procedure, me shumicë votash drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.