VLORË- Tre persona kanë mbetur të plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, të ndodhur rreth orës 19:45 të pasdites së sotme. Sipas informacioneve paraprake personat që kanë mbetur të plagosur kanë qenë të ulur në një lokal në zonën e plazhit, kur janë qëlluar me armë zjarri nga atentatorët.
Gazetari i Report tv raporton se të plagosur kanë mbetur Arben Brahimaj pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, djali i tij Brikelo Brahimaj dhe nipi i tij Olsi Beqiri. Arben Brahimaj ka marrë plagë në bark dhe aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës, ndërkohë që dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa dy persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës. Burime nga policia bëjnë me dije se dy autorët janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. Ata janë personat me SH.L dhe E.XH.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive banale, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e plotë të saj.