Prokuroria e Përgjithshëm ka bërë publike veprimet hetimore të cilat ka kryer deri tani për rastin e Valdrin Pjetrit. Organi i akuzës i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike ku sqaron se ka nisur drejt Italisë letër porosi dhe ka kryer verifikime në Shqipëri.
Përfundimet për verifikimin e Valdrin Pjetrit prokuroria do t?i bëjë publike pasi të ketë marrë edhe përgjigjet e autoriteteve italiane për të shkuarën penale të tij në Itali.
Sipas prokurorisë verifikimi i të zgjedhurit socialist ka nisur në datën 5 Gusht menjëherë pasi PD ka dorëzuar kërkesën për Valdrin Pjetrin. Në datën 6 Gusht organi i akuzës ka marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve formularin i dekriminalizimit ku dyshohet se Pjetri ka kryer deklarim të rremë.
Në po të njëjtën ditë janë kërkuar verifikime nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Policia dhe prokuroritë e të gjitha niveleve. Institucionet shqiptare kanë kthyer të gjitha përgjigje nga ku rezulton se kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Shkodrës rezulton i pastër. Ato që priten janë të dhënat nga Italia ku sipas Partisë Demokratike, Pjetri rezulton i dënuar me 18 muaj burg për trafik droge, 1 mijë Euro gjobë dhe dëbim nga Italia.
Letërporosia u është dërguar autoriteteve italiane me 14 Gusht. Të dhënat që kërkohen zyrtarisht nga vendi fqinj kanë të bëjnë me vënien në dispozicion të çdo materiali që implikon Pjetrin në vepra penale, dënime nga gjykata,masa sigurie apo ndalimi nga policia.
I njëjti informacion është kërkuar edhe nga agjencitë e sigurisë ndërkombëtare Interpol dhe Europol. Në datën 9 Gusht prokuroria i ka kërkuar Valdrin Pjetrit të depozitojë edhe gjurmët e gishtave pranë policisë shkencore në kuadër të verifikimeve që po kryen për të.