?Duam Skënder Gegën president, hajde mos ua prish tifozëve.? Ky është një nga komentet e shumta në faqen e Partizanit në njoftimin për ikjen e Franco Lerda-s pas ndeshjes derbi. Në fillim nisi si një dëshirë e tifozëve, të cilët padiksutim nuk do ta harrojnë atë që tropojani bëri për këtë klub, duke e shpallur kampion pas 26 vitesh, por tanimë koeficienti për të rikthyer Gegën është rritur ndjeshëm.
Kjo është edhe arsyeja përse situata mes drejtuesve nuk është aq e mirë sa më parë. Emrat për trajnerin e ri kanë shkaktuar debat, pasi Gega për karakterin që ka nuk është i pëlqyeshëm nga të gjithë. Edhe shkarkimi i Lerdës në vetë të parë, me urdhër të presidentit Demi, tregon se hierarkitë në klub në lidhje me marrjen e vendimeve kanë ndryshuar.Lerda ishte një dëshirë e Olsi Ramës, gjë të cilën italiani e shprehu ndoshta padashje në prezantimin e tij. Nën zë është thënë shpesh se kjo ishte edhe arsyeja e largimit të Gegës, pasi ai nuk i pranonte të tillë kompromise. Tani situata është ndryshe dhe këtë e vërteton edhe fakti që prej tre ditësh Gazmend Demi paraqitet në seancat stërvitore të skuadrës, diçka e cila nuk ka ndodhur kurrë më parë.