Për të tretën herë radhazi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka refuzuar ftesën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t?u konsultuar rreth mandatarit për qeverinë e re. Kësaj radhe ftesa Kurtit nga Presidenti i është dërguar për datën 31 Dhjetor në orën 10.00.
Por Kurti ka refuzuar duke thënë se e ka të pamundur të takohen më 31 Dhjetor dhe ka propozuar një takim më 6 Janar.
?Ju faleminderit për ftesën e radhës. Fatkeqësisht nuk do të kem mundësi të vij nesër për takim në ora 10:00. Propozoj të takohemi të hënën, më 6 Janar, në një orë të përshtatshme për juve. Gëzuar 2020?, thuhet në përgjigjen e Kurtit.
Kurti kishte refuzuar edhe dy ftesat e mëparshme të Presidentit, njërën për pamundësi të takohet meqë ftesa i kishte arritur vetëm dy orë përpara, ndërsa tjetrën me arsyetimin se gjendej jashtë Kosovës.
Një ditë më parë ai ka konfirmuar do të vazhdojnë negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës pas festës së Vitit të Ri.
Në LDK thonë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ofertë konkrete nga Lëvizja Vetëvendosje, por se bisedimet e mëparshme kanë rënë në ujë.
Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Përpos kreut të LDK-së, në takim ishin edhe nënkryetarët, Agim Veliu, Vjosa Osmani dhe Abdullah Hoti. Ata kanë diskutuar rreth mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje me LVV-në për të bashkëqeverisur vendin.
Vazhdimisht Kosnett dhe ambasadorët e tjerë të vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë po kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë së Kosovës.
Tv Klan