Një gabim i Bashkisë së Durrësit ka lënë pa bonus qiraje banorët e një pallati (nr. 458) në Shkozet. Pallati u shemb me eksploziv pasi u shpall i pabanueshëm pas dëmeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërkohë operatori i Bashkisë së Durrësit e kishte hedhur gabim në sistem si pallat i banueshëm dhe për këtë arsye banorët nuk mund të përfitonin bonus qiraje. Kjo ka sjellë irritimin e tyre. Ata kërkojnë sa më shpejt bonusin e qirasë dhe gjithashtu që pallati të rindërtohet sërish në të njëjtin vend.
"Kur shkojmë të marrim bonus na thonë nuk merrni sepse pallati është i banueshëm, pallati është shembur që në datën 8 dhjetor" tha një banore. "Nuk na japin bonus se thonë që pallati është i banueshëm. Kam bërë të gjitha letrat dhe akoma s'kam marrë bonus", tha një tjetër banore. "Kam 2 muaj që s'kemi marrë bonus. Ju lutem shtetit të bëjë diçka, të japë bonus dhe të rindërtojë pallatin sërish në këtë vend", tha një tjetër banore.