Edhe një takim i dështuar ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe liderit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.
Thaçi e ftoi Kurtin për t?i dorëzuar ky i fundit emrin e mandatarit të qeverisë, por ky refuzoi duke e dërguar atë përmes sekretares së partisë.
Ndërsa nëpërmjet një videomesazhi Kurti tregoi që ndonëse propozon veten për kryeministër, ende nuk ka ndonjë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në videomesazhin e tij ku shihej një karrige bosh, Kurti ka hedhur kritika të shumta në drejtim të LDK-së ndërsa i bëri thirrje LDK-së që të ulen në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Por videomesazhin e Kurtit nuk e ka pritur mirë LDK-ja. Megjithatë nesër pritet të mblidhet kryesia e kësaj partie.
Kritika të ashpra ndaj kreut të VV-së për zvarritjen e formimit të qeverisë ka hedhur edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së Memli Krasniqi. Ai megjithatë ka thënë se në çfarëdo forme në këtë mandat partia Demokratike e Kosovës do të mbetet në opozitë.
Kanë kaluar tre muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve e rreth dy muaj nga certifikimi i rezultateve dhe Kosova ende nuk ka arritur të formojë qeverinë e re.
Tv Klan