1.2 ton kokainë janë sekuestruar mbrëmjen e djeshme në një super operacion në Greqi, ndërsa janë vendosur në pranga tetë trafikantë, shqiptarë dhe marokenë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me DEA-n amerikane në Agrinjo, pranë Patras. Droga ishte fshehur në një kompleks dhomash plazhi të marrë me qira në fshatin Astakos pranë qytetit të Agrinjos.
Sipas medieve greke origjina e kokainës ishte nga Karaibet, ishujt Shën Vincent, ndërsa nga andej ishte transportuar me jaht drejt Greqisë nga karteli, që kishte drejtues një shqiptar. Greqia ishte planifikuar që të ishte ndalesa e parë e kokainës, ku një pjesë do të mbetej në vendin fqinj, ndërsa tjetra do të shpërndahej, një pjesë në Europën Veriore dhe pjesa tjetër në Afrikën e Veriut.