Pak ditë pasi la qelitë e paraburgimit Vladimir Gjuta përfundoi sërish në prangat e policisë.
40-vjeçari u ndalu nga forcat e gardës dhe të policisë së shtetit pranë selisë së partisë socialiste pasi në trup iu gjet një pistoletë që e mbante pa leje.
Gjithçka ndodhi pak minuta para se të niste mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, ndërsa mësohet se 40-vjeçari nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit.
Pas kontrollit Gjutës iu sekuestrua arma me 20 fishekë dhe një sasi e konsiderueshme eurosh. Pas marrjes në pyetje ai deklaruar përballë hetuesve se armën e kishte me vetë për shkak se do të këmbente shumën e parave në një pikë të këmbimit valutor shumë pranë godinës së selisë rozë.
40-vjecari është një emër i njohur për policinë pas dyshimeve se ishte i përfshirë në vendosjen e tritolit tek farmacia e babait të ish-ministrit Saimir Tahiri, në Korrik të 2015-tës.
Gjuta u arrestua një muaj më parë pasi kishte rrahur me çekiç kushëririn e tij duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë. Për shkak se i afërmi i tij është tërhequr nga denoncimi, gjykata vendosi që Gjuta të hetohet në gjendje të lirë.
Tv Klan