Deputeti i opozitës së re Lefter Maliqi tha se do të kërkojë interpelancë me Ramën për situatën e rënduar në vend. Maliqi ishte i ftuar së bashku me analistin Elton Abilekaj në studion e Report Tv, ku diskutuan në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe operacionin ' Forca e Ligjit'. Të dy e cilësuan si shoë dhe të panevojshme aktin normativ të qeverisë për krijimin e OFL, ndërsa ishin të ndarë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Lefter MAliqi tha se do të kërkojë 'interpelancë me kryeministrin Rama për situatën e rëndë të rendit, politike, ekonomike dhe shpopullimit në vend'.
Në lidhje me aktin normativ OFL, Maliqi e cilësoi shoë, pasi vendi kishte në fuqi ligjin anti-mafia.
'Ky akt i bëri një sfumim SPAK dhe se tani gjithçka që vendoset është në dorën e Ministrit të Brendshëm. OFL ka marrë 20 veta nga forcat komando, duke ngatërruar ushtrinë me policinë e shtetit. Policia e Shtetit është kthyer në një polici politike' tha Maliqi.
Nëse do e votojë reformën zgjedhore nëse nuk arrihet ndryshimi i sistemit, deputeti Lefter Maliqi tha se ' do ta votojë vetëm nëse ka zgjedhje të parakohshme, në të kundërt jo.'
Ndërsa analisti Enton Abilekaj tha se Basha kryeministër nuk është zgjidhje për vendin dhe as zgjedhjet e parakohshme, por ndryshim i sistemit politik dhe krijimi i mekanizmave balancues të pushtetit të kryeministrit.
'Zgjedhjet e parakohshme i interesojnë opozitës, por jo popullit shqiptar, pasi nëse ato do të mbaheshin vetëm do të ishte një vulosje e sistemit të dështuar politik me konsensus të të gjitha palëve. Nuk ka rëndësi kush fiton, Basha apo Rama, pasi sido që të jetë rezultati nuk do të jetë zgjidhje për vendin. Basha kryeministër nuk është zgjidhje për veten, por duhet ndryshim i sistemit politik, krijimi i mekanizmave të kontrollit dhe balancës së pushteteve ndaj një kryeministri', tha Abilekaj.