www.tvklan.al Emision info-argetues nga Rudina Magjistari ne KLANHD & TVKLAN; ?Gjurmë pa shenjë? është filmi më i ri shqiptar, i cili pritet të dalë së shpejti në kinema. Të ftuar në programin ?Rudina? në Tv Klan, për të folur për filmin ishin regjisori dhe skenaristi Maksim Alidini së bashku me gazetaren Ornela Gaçe.
Ky është filmi i parë që Maksim është skenarist, regjisor dhe aktori kryesor. Filmi trajton historinë e dashurisë së dy të rinjve, që përjetojnë dramën e ndarjes dhe kjo e vendos personazhin kryesor, Maksimin, në një betejë për hakmarrje. Filmi është xhiruar në Shqipëri, Kosovë, Zvicër dhe Itali.
Gazetarja Ornela Gaçe luan për herë të parë në një film. Ajo mban emrin Ema në film dhe është vajza e madhe e deputetit, avokate në Zvicër që pastron bizneset e jashtëligjshme të babait.
E pyetur nga drejtuesja e emisionit, Rudina Magjistari, për arsyen pse pranoi të ishte pjesë e një filmi, gazetarja tha se dëshironte të linte një kujtim ndryshe, por gjithashtu vajza e saj të përjetonte të njëjtin emocion që Gaçe kishte përjetuar kur kishte parë nënën e saj, tek luante në filmin ?Një ëndërr për një karrige?.
Ornela Gaçe: Të them të drejtën doja të recidivoja, ndjesinë që pata kur nëna ime ka luajtur tek ?Një endërr për një karrige?. E mbaj mend si sot, që ishim duke parë filmin tek kinema ?Republika? dhe unë bërtita, isha i vetmi fëmijë që bërtita: Mami, mami. Ishte një ndjesi aq e bukur sa unë këtë gjë, jo vetëm doja të lija një kujtime dhe ndryshe, të më shikonte vajza në një film, por doja që dhe ajo të provonte të njëjtin emocion, që unë kisha provuar. Unë isha e vogël dhe bërtita, isha nga rreshtat e fundit dhe gjithë kinemaja ktheu kokën dhe po më shikonte mua. Po isha e vogël, isha 8-9 vjeç, në këtë moshë që është vajza ime sot. Gjithë salla ktheu kokën dhe po më shikonte dhe u bëra unë personazh në ato momente. /tvklan.al