Në të gjitha njësitë administrative të Tiranës është punuar edhe në fundjavë për të pritur qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, të cilët plotësojnë formularin online për të përfituar nga programi i rindërtimit. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë përpara datës 28 Shkurt.
?Ju lutem bëni aplikimin, kushton vetëm 5 minuta! Do merrni një faturë, statusi i të cilës mund të ndiqet edhe në internet përmes një barkodi, dhe më pas të kemi një mundësi të shkëlqyer që, aty ku është për të dhënë dëmshpërblim, të japim dëmshpërblimin, aty ku është për të bërë rindërtim, të bëjmë rindërtimin. Është një mundësi ideale që fatkeqësia e tërmetit të kthehet në një avantazh për zhvillimin ekonomik të të gjithë Tiranës, por edhe për zhvillimin e çdo familje që do të rregullojë shtëpinë e saj?.
Për qytetarët që nuk ndodhen në Shqipëri ose për ata që e kanë të pamundur të paraqiten në sportele, aplikimi mund të bëhet nga një përfaqësues ligjor ose familjar, të cilët kanë lëshuar një prokurë.
?Çdo apartament duhet të bëjë aplikimin e vet sepse kur janë dëme që do jepen me dëmshpërblim, pagesë në dorë, atëherë secila familje do të marrë fondin e vet me të cilin do bëjë rregullimet. Nuk mjafton vetëm një aplikim për shkallë, por duhet secili apartament të jetë i deklaruar dhe të bëjë një kërkesë për rimbursim. Në qoftë se 26 nëntori ju kapi dy kurora në një shtëpi, të dy kurorat duhet të bëjnë një deklarim dhe pastaj do të respektohen si dy familje të ndryshme?.
Banorëve që jetojnë në pallate të dëmtuara, për të përfituar dëmshpërblim, duhet të aplikojë çdo posedues apartamenti madje edhe nëse janë dy kurora në një banesë të dyja duhet të plotësojnë formularin. Aplikimin duhet ta bëjnë edhe familjet që jetojnë në zonat rurale.