KORÇË- 61 vjeçari nga Korça Maksim Harizi ka 42 vite punë si shofer, një profesion që siç thotë ai e ka dashuruar që në moshën 18 vjeçare.
"Kam 42 vjet që punoj si shofer, që në kohën e mëparshme dhe pastaj me t'u ndërruar sistemi fillova të punoj taksi. Zanati nuk më është mërzitur, e kam marrë me qejf, s'kam pse të mërzitem", rrëfen Maksim.Maksim Harizi del nga shtëpia në orën 7:00 dhe kalon pjesën më të madhe të ditës në gatishmëri të klientëve. Për 42 vite me radhe asnjëhere nuk e ka lënë timonin, ndërsa shkëputja e parë ka qenë gjatë këtyre dy muajve kur çdo aktivitetet u pezulluan për shkak të epidemisë së koronavirusit.
"Jemi shkëputur nga korona nja dy muaj, jemi gjithmonë në lëvizje dhe e kemi të vështirë që nuk lëvizim. Kjo ka qenë hera e parë që jam shkëputur", tregon Maksimi.
Maksimi është taksapagues i rregullt dhe ka aplikuar për pagën e luftës. Ajo që e shqetëson më së shumti është situata që po kalojmë ku në taksi nuk lejohet më shumë se një person dhe fakti se ka pak klientë....
"Kam aplikuar pagën e luftës dhe e kam ftuar, Rama tha se po e patët përfituar dhe filloni punën do e merrni prap. Po të ketë shumë biznese dhe të lejohen njerëzit të dalin, ka punë kështu nuk ka. Janë të pakët, po kemi klientët tanë që na marrin në celular, se njerëzit ato të ardhura që kanë do e përdorin për të kaluar 15 ditëshin", tha ai.
Por ai mbetet optimist duke shpresuar lëvizjen e lirë dhe mbërritjen e turistëve në Korçë.