IMT dhe policia bashkiake kanë vijuar me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, proces që ka nisur që në orën 04:30 të mëngjesit të sotëm. Pas boshatisjes nga gardëroba dhe rekuizitat të godinës, fadromat po vijojnë me prishjen e pjesës tjetër të mbetur të teatrit. Fillimisht u ndërhy në pjesën hyrëse të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv shihet puna e fadromave për prishjen e godinës së mbetur të teatrit, ndërsa artistë dhe aktivistë që ishin kundër shembjes së saj, janë vendosur në kryqëzimin e pedonales duke parë nga larg këtë proces. Në vendngjarje ka prani të madhe të forcave të policisë të cilët rujanë perimetrin e godinës së teatrit për të mos lejuar që të futet askush.