Data 5 Maj është një datë historike për shqiptarët, e cila është kthyer në një simbol të Ditës së Dëshmorëve. Kjo datë e ka zanafillën e saj nga një ngjarje që lidhet me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore.
Më 5 Maj 1942 në Tiranë u vra Qemal Stafa, i cili ishte një prej themeluesve të Partisë Komuniste, Kryetari i Rinisë Komuniste dhe organizator i Rezistencës Komuniste. Stafa u procedua nga mbreti Zog në vitin 1938, kur ishte vetëm 18 vjeç, pasi deklaroi parimet e tij komuniste.
Vrasja e tij ishte një nga goditjet e para të forta që hasi Partia Komuniste, si një nga tre elementet e rezistencës së asaj kohe, por për shumë vite mbeti mister. Pas vitit 1990 dolën shumë argumente për mënyrën se si ndodhi vrasja e tij.
Emisioni ?Opinion? mbrëmjen e sotme nuk u ndal te këto hipoteza, por riprodhoi nëpërmjet dëshmive të personave që kanë qenë me Qemal Stafën më 5 Maj 1942, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Qemal Stafa ishte vetëm 22 vjeç dhe vuante nga miopia, e cila po i rëndohej. Në bazën ilegale ku ishte fshehur ai, ishin dhe 6 persona të tjerë, Beqir Minxhozi, Drita Kosturi, Gjustina Sata (Flora Dishnica), Marie Lezhja, Kristo Themelko dhe Isuf Keçi, të cilët u larguan sapo u rrethuan nga policia dhe mbijetuan.
Në dokumentarin e regjisorit dhe gazetarit Namik Ajazi për të fejuarën e Qemal Stafës, Drita Kosturin, të titulluar ?Mes vdekjes dhe shpresës?, janë edhe dëshmi të policisë shqiptare dhe italiane të kohës për aksionin për vrasjen e tij.
Ndërsa në një intervistë për revistën Klan në vitin 1998, Kosturi rrëfeu se çfarë ndodhi mbrëmjen e 4 Majit dhe mëngjesin e 5 Majit në bazën ilegale. Sipas saj, Qemal Stafa kishte një parandjenjë të çuditshme, e cila e kishte bërë sentimental, nostalgjik dhe të thyeshëm ndaj kujtimeve të vjetra.
Beqir Minxhozi dhe Isuf Keçi kishin dalë për ushqime, Kristo Themelko dhe dy vajzat ndodheshin në dhomë, ndërsa Drita Kosturi dhe Qemal Stafa ndodheshin në dhomën ballore.
Në rrethana ende të paqarta, Minxhozi u arrestua dhe u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, ndërkohë që ky i fundit po lexonte poezitë e Manxonit, vargjet për 5 Majin, poezinë e Napoleonit dhe iu drejtua të fejuarës duke i thënë: ?Sikur të më vrasin dhe mua sot!?, kur kjo e fundit rastësisht vuri re civilët e armatosur që po i afroheshin shtëpisë. Duke u arratisur, Drita ra në gropën e krijuar nga bomba që kishin hedhur, ndërsa Qemali u largua.
E fejuara e tij u shpreh: ?Qemali iku. Pashë vetëm siluetën e tij, larg, i fundit imazh i një dashurie që kishte zgjatur kaq vjet. Dhe që do të zgjaste përsëri një jetë?. Në dokumentarin ?Mes vdekjes dhe shpresës?, Drita Kosturi tregoi se më 6 Maj ajo mësoi se të fejuarin e saj e kishin vrarë.
Nga ana tjetër, Gjustina Sata dëshmoi versionin e saj për ngjarjen që ka ndodhur 68 vite më parë. Sipas saj, Qemal Stafa qëlloi një italian dhe u plagos dhe vetë në dorë. Më pas u largua, duke mos lënë gjurmë pas. Gjustina rrëfeu se ata u kapën nga policia dhe nuk e panë Stafën ...