38 kg heroine është kapur në një kamion në Portin e Durrësit mbrëmjen e djeshme. Kamioni në të cilën ndodhej lënda narkotike ishte gati për të nisur drejt Bari e Italisë, por u zbulua nga policia kufitare e Durrësit. Në pranga ka rënë drejtuesi i kamionit Dhimitër Zykaj, 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë, i cili po transportonte lëndën narkotike drejt Italisë.
Lënda narkotike ishte e darë dhe paketuar në 68 pako, mbi të cilat shënoheshin 3 kode, me kryq me ngjyrë të kuqe, të zi dhe kafe, që tregon se heroina kishte destinacion për tre grupe të ndryshme kriminale.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të kamionit në vijën e dytë, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehta brenda të cilëve ishin fshehur 68 pako me heroinë, me peshë totale rreth 38 kg. Kamioni-trajleri po transportonte një skaf të prodhuar në Shqipëri drejt Italisë tek blerësi italian. Kamion me targë AA 027 UG në pronësi të Zykajt, të arrestuar, trailer me targa AHR078.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike heroinë, ndërsa materialet në ngarkim të Dhumitër Zykës, iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim".
Vetëm pak ditë më parë, më 9 maj, në Itali u kapën edhe 34 kg heroinë, ku në pranga ranë Alfred Tusha dhe Leonard Spahiu. Heroina kapte vlerën 2 milionë euro dhe të fshehur në shtëpinë e kthyer në laborator droge.