Rreth 400 punëtorë të fasonerisë 'Altek shpk' janë ngritur në protestë përpara bashkisë Krujë ditën e sotme. Punonjësit e kësaj fasonerie kërkojnë nga qeveria pagën e luftës, që sipas pretendimit të tyre i takon.
Gjatë gjithë kohës së pandemisë kemi punuar me ditë thonë ata dhe nuk kemi përfituar as rrogë nga firma.
"Të na jepet një rrugëzgjidhje, se është mbyllur fasoneria dhe ne duhet të punojmë si të gjithë të tjerët. Kam dy muaj që nuk jam në punë, e ka mbyllur Ministria e Shëndetësisë. Të dalë kryetari dhe të na japë një rrugëzgjidhje, ta dimë nëse do hapet apo jo,"-shprehet një protestuese.
"Duam pagën e luftës, sepse pronari nuk ka çfarë bën pasi për tre javë që e pezulloi shteti e mbylli. Erdhëm për të punuar dhe na bënë tamponët ku katër veta dolën pozitivë. Më pas e mbylli ministria. Tani ne jemi pa lekë në shtëpi dhe pronari nuk na paguan se thotë ashtu është ligji. Ne kërkojmë nga shteti pagën e luftës.
A nuk kemi të drejtë ne, gjithë këto puntorë, gjithë këto sigurime që derdhim çdo muaj, shteti të na përgjigjet njëherë të vetme? Ne asnjëherë si kemi kërkuar gjë shtetit. Kemi 25 vjet që punojmë,"-shprehet një tjetër puntore.
Gjatë protestës punonjësit mbajnë edhe pankarta në duar ku lexohet: "Ku do hanë fëmijët tanë?" "Do mbushim rrugët dhe sheshet." "Po luani ping pong me ne!!" "Kërkojmë pagën e luftës".