Në 1 qershor do të hapen kufijtë tokësor me vendet fqinje dhe kjo do të bëhet me anë të një marrëveshje bilaterale mes vendeve përkatës. Drejtorja e Agjencisë Kombëtare e Turizmit Kornelia Ferizaj në një intervistë për Report TV sqaroi të gjitha procedurat, që sipas janë të detajuara në protokoll. Ferizaj u shpreh se edhe pse ky është një vit i vështirë, nga bizneset private të turizmit nuk do të ketë rritje të çmimit.
Sipas Ferizaj, karantina për turistët që vijnë për plazh në Shqipëri nuk do të jetë si karantina që jemi mësuar deri tani. Drejtorja e Agjencisë Kombëtare e Turizmit tha se çdo hotel do të këtë një koordinator covid që do të mbajë regjistër të turistëve që hyjnë dhe dalin në hotel, do t'u matet temperatura dhe nëse do të këtë dyshime, në protokoll është përcaktuar procedura si do të ndiqet ky rast."Në 1 qershor ne synojmë të hapim kufijtë tokësore me vendet e rajonit, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ka patur diskutime, sepse 70% e turistëve vijnë me anë të kufirit tokësor. Operatorët privatë kanë kërkuar në fillim hapjen e kufijve me vendet fqinje. Kjo do të ndihmojë ekonominë dhe sektorin e turizmit derisa të vijnë charterat e parë. Është disktuar me institucionet përkatëse dhe kemi një dakordësi për hapjen e kufijve, në mënyrë që mos të hapen kufijtë nga njëra anë, por të hapen me një marrëveshje bilaterale. Në 1 qershor do të hapen hotelet në plazhe dhe në 10 qershor do të hapen plazhet për qytetarët.