TIRANË- 13 raste pozitive kanë rezultuar gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë 7 persona më pak se dje, përkatësisht 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë dhe 1 rast në Shkodër duke e çuar numrin total në 1197 raste.
Janë testuar 39 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 3 raste, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 23 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes. Rreth 75% e të prekurve janë tashmë të shëruar.
Në vendin tonë janë 266 persona aktivë me COVID-19, ku në Tiranë janë mbi 68 % e të prekurve, kurse pjesa tjetër janë kryesisht në Durrës, Kamëz, Krujë dhe që nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 17 mijë testime molekulare dhe serologjike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.