Koordinatori i Reanimacionit, Krenar Lilaj i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report TV thotë se situata në QSUT nuk është e mirë, kjo për shkak të rritjes së rasteve të shtuara së fundimi në spital. Lilaj tha në Shqipëri mbajtja e maskave duhet të bëhet e detyrueshme, pasi njerëzit nuk e kuptojnë dot rëndësinë e distancimit fizik. Sipas tij, nëse qytetarët nuk do të ndërgjegjësohen, situata do të agravohet.
"Situata në QSUT nuk është e mirë për shkak të të sëmurëve të infektuar që janë rritur ditët e fundit. Si pasojë edhe humbjet e jetëve do të jenë më të mëdha. Nëse gjithkush nuk bëhet i ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e kësaj sëmundje, kjo situatë do të agravohet. Nuk do të reshtim së thëni që gjithkush duhet të marrë masat në mënyrë që të shmangë infektimet ndaj kësaj sëmundje, e cila përbën rrezik për vetë pacientin, por edhe për të tjerët", tha Lilaj.Për Lilajn është e papranueshme që një mjek apo infermier të infektohet dhe të infektojë pacientët. Sipas tij puna në QSUT vazhdon dhe protokollet janë zbatuar.
"Dihet që kjo sëmundje është e transmetuar në ato mjedise ku ka grumbullim njerëzish. Spitali hyn në mjedise të tilla. Përgjegjësia e personelit mjekësor sa i përket profesionalizimit dhe rrezikshmërisë që mbart me vete personeli mjekësor është më e madhe. Megjithatë kemi të bëjmë me situata emergjente. Me manipulime apo trajtime të tilla që në momente të caktuara mund ta humbasësh kontrollit dhe mund të infektohesh. Është e papranueshme që një mjek apo një infermier të infektohet dhe të infektojë pacientët. Që në fillim të kësaj epidemie në vendin tonë ne kemi ndërtuar protokollet për masat mbrojtëse. Protokollet janë zbatuar, madje janë bërë edhe trajnime për personelin në QSUT", u shpreh Lilaj për 'Repolitix'.