Shërbimet e inspektimit me urdhër të kryeministrit teknik Oliver Spasovski, do të kontrollojnë përse çmimet e produkteve vendore janë rritur në markete. Disa qytetarë tanimë u ankuan se çmimet janë rritur pikërisht për produktet vendore, pasi qeveria vendosi të shpërndajë kartelat pagesore për qytetarët më të ardhura më të ulëta prej 3, 6 dhe 9 mijë denarë. Spasovski është i bindur se rritjet e çmimeve nuk përkojnë me subvencionin e qeverisë për blerjen e produkteve vendase.
Nuk është momenti të bëjmë çfarëdo përfitimesh. Tani është momenti të gjithë së bashku t?i ndihmojmë edhe qytetarët. Unë vërtetë i falënderoj të gjitha kompanitë që ishin kishin përgjegjësi shoqërore në këtë krizë dhe ndihmuan edhe me uljen e çmimeve dhe ju faleminderit që i mbajtëm çmimet. Por, të shohim çfarë do thonë organet e inspektoratit lidhur me këtë dukuri që nuk është aq e përhapur, por gjendet në disa nga dyqanet- deklaroi Oliver Spasovski, kryeministër.
Nga Inspektorati i Tregut për Alsat thotë se inspektorët janë vazhdimisht në terren. Kontrollojnë nëse çmimet nëpër rafte janë të njëjta me ato të regjistruara në arkat fiskale. Sipas inspektoratit, tregtarët nuk i kanë rritur çmimet në mënyrë drastike, dhe me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, hyri në fuqi logjika e tregut të ofertës dhe kërkesës. Çmimet e produkteve të caktuara vendore janë rritur, menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe procesit të shpërndarjes së kartelave pagesore për disa qytetarë. Derisa ishte në fuqi, qeveria ngriu disa nga çmimet e produkteve themelore.
Bojan Stojanovski