Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë heqjen e Tatimit mbi Fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë, deri në vitin 2029. Ky vendim do të hy në fuqi më 1 janar 2021, dhe nga kjo datë të gjitha bizneset nuk do të paguajnë këtë tarifë.
Po ashtu në projektligjin ?Për tatimin mbi të ardhurat?, të ndryshuar, është vendosur edhe pragu i ri i TVSH-së, që do të jetë 8 milionë lekë.
Deri më tani bizneset që kanë qenë subjekte të TVSH-së ishin ata që kalonin xhiron vjetore deri në 2 milionë lekë, ndërsa tashmë ky prag rritet deri në 8 milionë qarkullim vjetor.
Këto dy lehtësira që janë marrë në kohë pandemie pritet të mbështesin biznesin e vogël për tu rimëkëmbur, edhe pse kritikët pohojnë që fashat dhe diferencime të tilla lënë hapësira për evazion fiskal.
Ndërkohë edhe FMN është shprehu kundër këtyre nismave. Heqja e TVSH-së dhe e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël do të gërryejnë bazën tatimore si dhe do të reduktojnë të ardhurat në buxhet. Në këtë konkluzion ka dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kundërshton ndërmarrjen e një hapi të tillë kaq afatgjatë, dhe sipas saj duhet treguar kujdes me përcaktimin e pragjeve tatimore.