Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar në mënyrë indirekte për Gjin Gjonin, i cili u propozuar për kandidat për deputet nga dega e PD-së Lezhë. Përmes një mesazhi të fort, Yuri Kim ka paralajmëruar të gjithë partitë politike që përgatiten për zgjedhje të verifikojnë të gjithë kandidatët dhe të mos minojnë demokracinë me përzgjedhjet e gabuara.
Yuri Kim tha se votuesit nuk duhen fyer me kandidatura të dyshimta dhe se partitë të mos nxisin korrupsionin.
?Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin?, shkruan ambasadorja në Twitter.
Ky paralajmërim i fortë i ambasadores Kim vjen si një sinjal për të gjitha partitë në lidhje me kandidatët që zgjidhen për deputet duke u kujtuar edhe njëherë rëndësinë e reformës në drejtësi, për pastrimin e sistemit të drejtësisë por dhe parlamentit nga figura të inkriminuara apo me të kaluar të dyshimtë, në mënyrë që vendi të mos bëjë hapa pas por të ecë para.
Ditën e sotme Dega e PD Lezhë propozoi Gjin Gjonin si kandidat për deputet. Gjoni është një nga njerëzit më të përfolur për pasuri paradoksale, vendime skandaloze dhe shorte të dyshimta në drejtësinë shqiptare, i cili më 17 korrik 2020 firmosi dorëheqjen nga drejtësia për të shmangur përballjen me vetingun.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i PD ku tha se do të përjashtohet çdo kandidat që nuk ka kaluar vetingun apo është dorëheqës për të shmangur përballjen me vetingut.