Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja nga foltorja e Kuvendit bëri një rezyme të punës një vjeçare të komisionit hetimor për presidentin dhe u shpreh se anëtarët arritën me shumicë votash (nga PS) se Ilir Meta e shkeli Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve, por veprimi nuk është aq i rëndë sa të shkarkohet.
"Edhe nëse seanca voton një kërkesë për shkarkimin e presidentit është gjykata Kushtetuese që jep verdiktin përfundimtar. Komisioni zhvilloi 13 mbledhje, një me presidentin e Republikës. Raporti nuk është ngritur mbi konsiderata politike. Komisioni vlerësoi të mos marrë në analizë cështje që nuk janë në tagër të tij, por që janë nga Gjykata Kushtetuese, përgjigje që do të ndihmonte në interpretimin e termit shkelje e rëndë.
Nga hetimi rezultuan disa shkelje të kryera, veprime dhe mos veprime. Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferrllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte dhe vlerësime anti-kushtetuese. Shkeljet nuk çojnë domosdoshmërit në shkarkimin e presidentit, por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen. Për institucionin e presidentit duhet një ligj organik" tha ai.