POGRADEC- Punësimi i babait, edhe pse me probleme mendore, është përdorur si "karrem" nga 46-vjeçari në Pogradec për t'iu afruar familjes së vajzës, me të cilën më pas abuzoi seksualisht sistematikisht. Familja është në gjendje të vështirë ekonomike, babai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe kjo është shfrytëzuar nga 46-vjeçarit, i cili u ka premtuar se do të kujdesej për vajzën sikur të ishte fëmija e tyre. Prandaj, nëna e vajzës thotë se "kishin besim te ai", por rezultoi se ishte "një maskara". Referuar dëshmisë së nënës, me familjen e 46-vjeçarit njiheshin prej 2 vitesh, por jo se abuzimi seksual ka ndodhur që atëherë. Ajo tregon se vetëm 2 ditë më parë, vajza në mbrëmje i kishte thënë se ishte shumë e mërzitur "po luante mendsh" dhe pastaj i kishte rrëfyer se çfarë i kishte ndodhur.
"Ne e kishim të besuar që po rrinte vajza me vajzën e tij me të ëmën, me atë, ne e dinim familje të besuar. Vinte vajza ime, e mërzitur, çfarë ke bir i mamit? Nuk shpreheshe... Pastaj tha mami kështu-kështu që në nëntor kemi dy vjet që jemi lidhur si familje me atë. Ne e dinim njeri të sigurt, mirëpo doli maskara. Ai vinte këtu te ne, më tha mua ku e keni burrin, se do ta marr në punë, i thashë e kam këtu. Erdhi u njohën, bënë muhabet, e pastaj na tha, vajza jote ka krahë te unë, e ushqej unë, me të ngrënë, me të gjitha do ta mbaj unë. Vajza mbrëmë u tmerrua, më tha "mami lojta nga mendë, i thashë çfarë ke me mami"? Vajza nuk shpreheshe, por mori policinë. U tha "jam shumë e shqetësuar ju, lutem më ndihmoni". Vajza më thoshte që donte ta godiste, ta përdhunonte, e kishte rrahur, e dinte ai që babai nuk është në gjendje ta mbrojë", rrëfen nëna.
Ajo kërkon që 46-vjeçari të marr dënimin e merituar dhe të mos i afrohet më familjes së saj, teksa apelon dhe për ndihmë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike ku ndodhet.
"Unë kërkoj të dënohet dhe të mos afrohet, nuk e dua më atë lloj familje, ju lutem shumë, nuk kam besim më, unë atë familje e dija të besuar, kam nevojë shumë për ndihmë edhe është e mira që të më ndihmoni. Ndihem e dëshpëruar, e mërzitur, shpresoj vetëm te shteti, në asnjë vend tjetër. Vajza është shumë e mërzitur, e trishtuar, nuk shprehet kollaj vajza ime", ka thënë nëna.
Në një vëzhgim në profilin e 13-vjeçares në rrjetet sociale, ajo që vihet re është se në një pjesë të mirë të fotografive nuk mungojnë komentet lavdëruese të 46-vjeçarit. "Si drit të kan", "super" emoji ku shkruhet "I love you", "si gazetare të kam" shoqëruar me disa zemra dhe vajza që i kthehet "ahahah e di e di".