Byroja e hetimit, Hazizaj- Strukturë ndihmëse, jo dubluese - Albanian Screen TV

Albanian Screen TV 2015-04-24

Views 2

Tiranë - 
Një formulë e mirë për Byronë e Hetimit do të ishte ajo që nuk cënon kompentencat e prokurorisë. Sipas juristit Sokol Hazizaj këto dy institucione mund të koordinojnë punën mes tyre, por roli kryesor duhet t'i mbetet organit të drejtuar nga Adriatik Llalla. Ndërsa mazhoranca ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga kjo nismë, pavarësisht rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, për Hazizaj, në riformulimin e ligjit të ri, nuk ka motiv për ngutje.

"Është detyrë e qeverisë që nëse herën e parë e bëri me nxitim, sot të konstatoj ato çka oferton Gjykata Kushtetuese në opinonin e saj dhe të bëjë riparimet e duhura. Meqënëse është i domosdoshëm dhe konsiderohet si i nevojshëm në krijimin e këtij institucioni. Organi i hetimit të zërë vendin e vet në identifikimin, kqyrjen e provës dhe hetimin mbi provën, po njëkohësisht Byroja të jetë institucion ndihmëtar në arritjen sa më të shpejtë tek prova. Rakordimi i këtyre institucioneve nuk ka asgjë të vështirë në ligj dhe nuk duhet parë si bumerang. Rakordimi i veprimtarisë së tyre institucionale dhe ligjore, nuk ka asgjë të keqe për të arritur atë çka duam ne të gjithë, liri dhe barazi para ligjit", tha Sokol Hazizaj, konstitucionalist.

Byroja Kombëtare e Hetimit sipas ligjit të hartuar nga Ministria e Brendshme dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese javën e shkuar do të jetë një drejtori që do të funksionojë pranë kryeministrit që do të bashkojë në një strukturë të vetme një sërë çështjesh që sot janë të pakoordinuara.

"Organet ligjzbatuese mund të varen nga disa që varen nga qeveria, disa që varen nga Prokurori i Përgjithshëm dhe institucione të tjera. E rëndësishme është që mes institucioneve të ketë dhe konkurrencë, por dhe barazi", vijon Hazizaj.

Në programin e Byrosë bën pjesë analiza e informacionit kriminal, lufta kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terrori, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Por sipas PD-së e cila e ankimoi muaj më parë ligjin që mundësonte ngritjen e kësaj strukture, dublohet Prokuroria e Përgjithshme. Ndjekja penale është kompetencë e Prokurorisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme, e cila merr kompetenca për hetimin. Për me tepër struktura e re e ngritur nga ministri i Brendshëm nuk mund të hetojë korrupsionin për zyrtarët, pasi nuk është një institucion i pavarur sipas PD.

Share This Video


Download

  
Report form