Grupi parlamentar i PDSH-së ka protestuar ashpër dhe ka ndërprerë punën e Kuvendit për shkak se fjalimet e deputetëve shqiptarë transmetoheshin në opinion me përkthim në gjuhën maqedonase. Në këtë mënyrë, zv/ koordinatori të PDSH-së Zijadin Sela tha se u pamundësohet deputetëve shqiptarë që votuesve të tyre t'u drejtohen në gjuhën shqipe. Ka reaguar kryeparlamentari Trajko Velanoski duke theksuar se Sela po keqpërdor funksionin e deputetit dhe zv koordinatorit, dhe se sipas tij deputetët janë në Parlament për të punuar dhe jo të çojnë inate dhe tu' pamundësojmë të tjerëve që të punojnë.
"Fjalimet e deputetëve shqiptarë të transmetohen në mënyrë origjinale në gjuhën shqipe, se mbi t'gjitha ne ju drejtohemi nga kjo foltore votuesve të cilët na kanë dhënë mandat për të qenë këtu në këtë parlament dhe prandaj edhe njëherë insistoj, unë do të vazhdoj të kërkoj pauzë pas çdo fjalimi të deputetit shqiptarë i cili flet në gjuhën shqipe dhe nga ana tjetër në veshin e qytetarit shqiptarë përfundon në gjuhën maqedonase. Unë do të vazhdoj të kërkoj pauzë dhe kjo është në formë proteste e imja si deputet dhe e grupit parlamentar të PDSH për cungimin dhe për ndërprerjen e fjalës së lirë të deputetëve në parlamentin e RM-së. Si zv/koordinator i Grupit parlamentar të PDSH-së kërkoj një orë pauzë", deklaroi Zijadin Sela, PDSH.
"Unë edhe tani do të them, jo që dua, por jam i detyruar për shkak të rregullores që të jap pauzë, kurse zoti Sela le të vazhdojë ta keqpërdor edhe më tej funksionin e deputetit dhe postin e zv koordinatorit dhe të na pamundësoj punën e kuvendit këtu. Por ne do të durojmë, opinioni do ta vlerësoj dhe të gjykojë në zgjedhje, siç ka gjykuar edhe deri tani dhe do të vazhdojë të gjykojë edhe në zgjedhje si për mua edhe për ju edhe për partinë tuaj edhe për partinë time. Vazhdoni edhe më tej bëni inat", u shpreh Trajko Velanoski, kryetar i parlamentit.
Ndërkohë Izet Zeqiri nga RDK-ja e vlerëson si të drejtë kërkesën e PDSH-së, meqë përmes përkthimit nuk mund të përcillen emocionet e fjalimit të deputetit dhe në të shumtën e rasteve humbet edhe kuptimi i fjalimit.
"Mendoj se kërkesa për sinjalin që fjalimi i deputetëve shqiptar të shkon në gjuhën shqipe është kërkesë e drejtë. Kjo ka qenë dhe ka funksionuar deri në vitin 2009 kur deputetët shqiptarë përfaqësuesit e tyre i kanë dëgjuar në gjuhën amtare. Kurse nga ndryshimet që janë bërë me kanalin e kuvendit kjo e drejtë nuk u jepet qytetarëve që i kanë zgjedhur deputetët që t'i dëgjojnë në gjuhën amtare të tyre. Mendoj se ndryshimet duhet të jenë retroaktive dhe të kthehet që MTV 2 t'i jep seancat parlamentare në gjuhën që e flet deputeti e jo të shkon në përkthimin stimuluan, ku nuk mund të përfillen as emocionet e as reagimet", deklaroi Izet Zeqiri, RDK.
Aktualisht fjalimet e deputetëve shqiptarë në gjuhën shqipe mund t'i dëgjojnë vetëm ata qytetare që posedojnë televizor me dual-ton, në të kundërtën një gjë e tillë është e pamundur. Bedri Rexhallari