Anëtari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Bedredin Ibrahimi sot braktisi mbledhjen publike të Komisionit në të cilën u hodh shorti plotësues për caktimin e rendit të kandidatëve në fletëvotimin për zgjedhjet lokale. Ibrahimi mbledhjen e lëshoi për shkak se nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës Administrative për listat e përbashkëta të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për komunat e Strugës dhe Kërçovës. Këtë vendim Ibrahimi e quajti atentat kundër procesit zgjedhor dhe kërkoi shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative.
"Vendimi i djeshëm i Gjykatës Administrative për anulimin e vendimeve ligjore të komisionit zgjedhor të komunës Kërçovë dhe të komisionit zgjedhor të komunës së Strugës është atentat kundër procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale në vitin 2013. Me vendimet e këtilla është pezulluar ligji dhe shteti juridik. Në mënyrë që ta ruaj integritetin tim ligjor dhe profesional, do ta braktisë këtë mbledhje që të mos marr pjesë në kurorëzimin e vendimeve të miratuara në kundërshtim me dispozitat e kodit zgjedhor. Le të jenë me fat zgjedhjet lokale të vitit 2013", tha Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ.
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko, tha se komisioni nuk është kompetent për vendimet e Gjykatës Administrative dhe se ai nuk ishte vendi ku duhet të diskutohen vendimet e Gjykatës.
"Shpreh keqardhje për shkak të braktisjes së mbledhjes edhe pse për shkak të korrektësisë dhe kolegjialitetit ju lash që ta përfundoni fjalimin tuaj, por përmbajtja e asaj që ju folët është përgjegjësi e institucioneve të tjera dhe jo e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, të diskutojmë për vendimet e Gjykatës Administrative", deklaroi Boris Kondarko, Kryetari i KSHZ.
Pasi Ibrahimi braktisi mbledhjen, u mbajt hedhja shtesë e shortit vetëm për partitë politike që kanë dorëzuar listat për anëtarë të këshillit dhe kandidatët për kryetar komunash në afatin plotësues deri më 8 mars në mesnatë. Partia Liberale Maqedonisë në zgjedhje do të paraqitet me numrin 118. Koalicioni LSDM me 14 parti të tjera me numrin 42, koalicioni LSDM me 13 parti të tjera me numrin 119, koalicioni LSDM me 13 parti me numrin 57, koalicioni LSDM me 12 parti të tjera me numrin 35, Lëvizja e Unitetit Kombëtar të Turqve me numër 121 dhe Aleanca Republikane me numër 120. Bojana Simonoviq