Bashkimi demokratik për Integrim nuk komenton komunikatën e djeshme të VMRO DPMNE-së dhe reagimin e tyre ndaj kolumnës së liderit të BDI-së Ali Ahmeti. Ndërkohë, komunikimin publik mes partnerëve të koalicionit qeveritar BDI e VMRO DPMNE, si dhe pikëpamjet e ndryshme rreth euro-integrimeve, analistët i shohin si lojë të mundshme, të koordinuar për rejting. Kështu thotë analisti Naser Zyberi. Sipas tij, të dy partitë shpalosin në opinion qëndrime të pranueshme për elektoratin e tyre. Kjo bën që të dyshohet në seriozitetin e mosmarrëveshjeve të fundit dhe arrogancën e VMRO DPMNE-së. Madje, sipas Zyberit ka shumë mundësi që të gjitha zhvillimet e fundit të jenë të stisura me marrëveshje eventuale të brendshme, mes dy partive qeveritare.
"Ose ekziston marrëveshje interne, që do të thotë qëndrimet e tyre ti plasojnë në media, e në fakt ata e dinë se si qëndron situata, por bëhet fjalë për qëllime rejtingu, që BDI-ja tregohet para elektoratit shqiptar se është e interesuar që definitivisht të kjo çështje të zgjidhet dhe Maqedonia definitivisht të anëtarësohet në NATO dhe në BE... dhe në anën tjetër, po ashtu edhe VMRO DPMNE-ja i përgjigjet në mënyrë publike përmes komunikate, por me një qëndrim krejt të kundërt, duke e ditur se elektorati maqedonas është i ndishëm në çështjen e ndryshimit eventual të emrit. Me veprime diametralisht të kundërta por të kapshme për elektoratin e tyre e ngrenë rejtingun", tha Naser Zyberi, analist.
Megjithatë Zyberi, edhe pse i jep pak gjasa, nuk e përjashton edhe tezën që këto mosmarrëveshje rreth euro-integrimeve të jenë reale, dhe ky të jetë hapi i parë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
"Mund edhe mos të jetë kështu, në rast se ekziston ndonjë thellim i përçarjes së subjekteve politike. Në atë rast nëse negociatat e brendshme kanë rezultuar si të pasuksesshme, atëherë qëndrimet e tyre i bëjnë publike dhe kjo mund të jetë hapi i parë drejt ndonjë ndarje eventuale definitive mes partnerëve të koalicionit", tha Naser Zyberi, analist.
Fjalori arrogant i VMRO DPMNE-së dhe reagimi publik ndaj kolumnës së liderit të BDI-së Ali Ahmeti, sipas Zyberit janë vazhdim i tentativës së partisë maqedonase në pushtet që të rritë rejtingun në prag të rivotimit në komunën 'Qendër'. Tentativa e tillë, sipas Zyberit, filloi me pritjen solemne të të dënuarit për krime lufte Johan Tarçullovski. Benjamin Arifi