BDI-ja do të pret përgjigje zyrtare nga VMRO-ja për kandidatin konsensual para se të vendosë se a do të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale. Kjo ka qenë përgjigja e partisë së Ahmetit ndaj apelit të Menduh Thaçit, për të qartësuar pozicionet për zgjedhjet presidenciale. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani shpjegoi se nëse formalizohet përgjigja negative nga VMRO DPMNE-ja, BDI nuk do të merr pjesë jo vetëm në këto zgjedhje presidenciale, por edhe në të ardhshmet, deri sa presidenti i shtetit të reflektojë edhe vullnetin e shqiptarëve.
"Presim përgjigje formale nga VMRO për shkak se vlerësojmë se të gjithë duhet ta dinë se cili është qëndrimi i partive politike për konsensualitetin në Maqedoni në këtë periudhë historike. Si alternativë në rast se dështon koncepti për kandidatin konsensual ne e kemi edhe mospjesëmarrjen aktive në zgjedhje, sepse ne nuk do të futemi në asnjë proces zgjedhor përderisa nuk do të definohet konsensualiteti në përcaktimin e kryetarit të shtetit, ose nëse kryetari i shtetit nuk reflekton vullnetin edhe të shqiptarëve" , deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Osmani theksoi se pavarësisht vendimit të BDI-së, ata do të bëjnë fushatë aktive në terren, qoftë për kandidatin konsensual nëse arrihet marrëveshje, qoftë për mospjesëmarrje në zgjedhje, nëse refuzohet ideja e kandidatit konsensual.
"Edhe nëse vendosim për mospjesëmarrje, ajo do të jetë mospjesëmarrje aktive, ku ne do të bëjmë fushatë aktive, për të shpjeguar se pse mendojmë se Maqedonisë tani i duhet kandidat konsensual", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
BDI-ja mban të hapur edhe çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, gjithmonë si alternativë për situatat e mundshme politike që mund të krijohen, varësisht epilogut të angazhimeve për kandidat konsensual. Benjamin Arifi