LUSHNJE -- Kandidati për kreun e PD-së, Sokol Olldashi ka akuzuar dje nga Lushnja, përpjekjet e kundërshtarit politik, LSI-së si dhe analistë të majtë, se po përpiqen të ndërhyjnë në procesin për zgjedhjen e kryetarit të PD-së.
"Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjëjnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces.
Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë,"- tha ai.
Olldashi dje ka zhvilluar takime, përveçse në Lushnje, edhe në Berat, Kuçovë e Poliçan.