Nuk ka kundërmasa të reja për Kosovën nga Maqedonia. Ky është epilogu nga seanca e djeshme qeveritare. Në seancën e mbyllur, në të cilën, sipas burimeve të televizionit Alsat, kanë marrë pjesë vetëm disa ministra dhe kryeministri, Nikolla Gruevski ndërsa ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, ka raportuar për takimin në Prishtinë. Çështja e Kosovës është hapur vonë pas mesnatës, ndërsa është biseduar deri në orët e hershme të mëngjesit dhe është vendosur që të vazhdohet me negociatat ndërmjet dy palëve, ashtu siç ishte vendosur në Prishtinë. Qeveria e Maqedonisë tani e qetëson topin në luftën tregtare me Kosovën përkundër faktit që në disa media u paraqitën spekulime se është e mundshme vendosja e vizave për shtetasit e Kosovës. Megjithatë, sipas informacioneve të Alsat M, dy palët e konfrontuara tregtare tani do të kërkojnë mënyrë se si të ulet topi dhe të stabilizohet situata. Nga ana tjetër, në terren vazhdojnë bllokadat nga transportierët maqedonas të cilët e bllokuan qarkullimin në kufirin me Kosovën. Ndërkohë, vazhdon edhe bllokada për importin e prodhimeve maqedonase në territorin e Kosovës. Deri kur do të zgjasë situata e këtillë mbetet e pasigurt, por sipas paralajmërimeve pritet zgjidhje e problemit deri në fund të javës. Natasha Stojanovska