Ndërmarrja e Transportit Publik "Shkup", me gjithë premtimet prej thuajse 1 viti, vazhdon të mos respektojë gjuhën shqipe, e cila garantohet me ligj dhe Kushtetutë në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë më tepër se 20 % të popullsisë. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje Misho Nikollov vazhdon të shkel ligjin e gjuhëve dhe si duket, problemi me softuerin që përmendte ai kohë më parë, është thjesht justifikim dhe jo problem teknik. Nëse në një autobus mbishkrimi është në shqip, atëherë përse shqipja nuk mund të përdoret edhe për të tjerët?
Televizioni ALSAT M tentoi sërish sot të merrte prononcim nga drejtori Misho Nikollov, por nga kjo ndërmarrje refuzuan, jo vetëm ai po cilido zyrtar. Kujtojmë se në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, drejtori i NTP-së Misho Nikollov mund të ndiqet penalisht për këtë shkeljen e ligjit të përdorimit të gjuhëve dhe mund të dënohet deri në 5 vjet burg, bazuar në nenin 138 të Kodit Penal i cili thotë:
Paragrafi 1 - ai që do t'ia marrë ose kufizojë qytetarëve të drejtën e garantuar me kushtetutë, ligj apo marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare për përdorimin e gjuhës dhe shkrimin, do të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg.
Paragrafi 2 - Nëse vepra e paragrafit 1 kryhet nga personi me detyrë zyrtare, ai do të dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.
8 muaj më parë Lëvizja qytetare 'Zgjohu' pati ngritur padi kundër Ndërmarrjes së Transportit Publik dhe drejtuesit të saj Misho Nikollov për mosrespektim të përdorimit të gjuhës shqipe në këtë institucion dhe autobusët urbanë. Aso kohe, ata kërkuan nisjen e procedimit penale kundër të denoncuarve për kryerje të veprës penale 'Pengim të së drejtës së përdorimit të gjuhës dhe shkrimit sipas nenit 138 alineja 2 dhe 3 nga Kodi Penal, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe dënimit të tyre, sipas të njëjtit Kod'. Por si duket edhe pas 8 muajve mos-aplikim të gjuhës shqipe nga NTP-ja, edhe Prokuroria Publike hesht! Pas padisë së ngritur, ajo është e obliguar t'i ndjekë personat shkelës. Por deri tani, nga ky institucion nuk ka përgjigje gjithashtu! Valmir Kuçi