'NTP Shkup', Jakupi dhe Jonuzi heshtin rreth shkeljes së shqipes

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Kryetari i Bordit Drejtues të NTP-së Shkup Musa Jakupi dhe anëtari tjetër shqiptar Riza Jonuzi, sot nuk e panë të arsyeshme të prononcoheshin rreth shkeljes së gjuhës shqipe në këtë ndërmarrje. Në bisedë telefonike ata thane vetëm se prej 1 muaji, u paska mbaruar mandati, madje gjithë bordit drejtues, dhe së shpejti, emërimet e reja do të bëhet nga Qyteti i Shkupit. Jakupi dhe Jonuzi thonë se dygjuhësia në NTP-në Shkup respektohet thuajse në të gjitha segmentet, përveçse në tabelat elektronike të autobusëve, shkelje kjo që, sipas tyre është e paqartë. Prej sot ueb-faqja e NTP-së funksionon edhe në shqip, por vetëm faqja hyrëse e saj. Në këtë ueb-faqe të gjitha informacionet, në rast të klikimit në rubrikat e saj, janë vetëm në gjuhën maqedonase. Drejtori Nikollov thotë se administratorët e kësaj faqeje po bëjnë përpjekje për rregullimin sa më shpejt të saj.
Ndërkohë nuk ka asgjë të re sa i përket padive të ngritura kundër drejtorëve të institucioneve të Qytetit të Shkupit për mosrespektimin e Gjuhës Shqipe. Kujtojmë se Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti para disa ditësh deklaroi se këto padi janë në procedurë e sipër. Ai theksoi se ata që kanë ngritur padi, të dërgojnë edhe ankesa zyrtare pranë Prokurorisë apo Ministrisë së Drejtësisë, për t'u informuar mbi procesin gjyqësor.

"Gjykatat dhe institucionet gjyqësore është e pamundur që të jenë të politizuara. Rastet në fjalë duhet të shihen dhe palët që kanë iniciuar këtë çështje kanë të drejtë që të informohen, nëpërmjet parashtresave dhe këtë i udhëzoj që ta bëjnë, dhe jam i sigurtë që do të kenë përgjigjen e duhur nga institucionet përkatëse", tha kohë më parë Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë.

A jeni në dijeni deri ku është kjo çështje?

"Ata kanë të drejtë që të drejtohen me parashtresa edhe tek udhëheqësit e institucioneve ku i kanë parashtruar paditë, edhe te ministria e drejtësisë. Nëse i parashtrojnë parashtresat e tyre, më se e sigurt se Ministria e Drejtësisë do tu përgjigjet".

Lëvizja Qytetare "Zgjohu!" një javë më parë akuzoi se pikërisht ndikimi politik dhe partiak ndaj gjykatave është shkaku i ngecjes së procedurës rreth padive ndaj drejtorëve të ndërmarrjeve të Shkupit, për mos respektimin e gjuhës shqipe. Padia e "Zgjohu-t" bazohet në nenin 138 të Kodit Penal, i cili parashikon burg deri në 5 vjet, për personat zyrtarë që pengojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form