Deputeti i BDI-së, Nedim Ramizi, ka kërkuar llogari nga kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela se përse në fshatin Llabunishtë, ka ngecur procesi i mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit nga klasa e pestë deri në të nëntën. Por, Sela ka përgënjeshtruar deputetin Ramizi dhe madje e ka porositur që të mos merret me muhabete rrugësh por le të urdhëroj në Shkollë por edhe në komunë për tu informuar më mirë me rrjedhën e procesit edukativo arsimorë në shkollën e Llabunishtës.
"Dua të reagoj dhe më intereson të pyes kryetarin e komunës së Strugës, Ziadin Sela pse në Llabunishtë nuk organizohet mësimi në gjuhën shqipe prej në klasën e pestë deri në klasën e nëntë. Nga prindërit e Llabunishtës kemi informata se nuk realizohet mësimi në gjuhën shqipe prej në klasën e shtatë deri në klasën e nëntë. Nxënësit shëtisin nëpër fshatë", deklaroi Nedim Ramiz, deputet i BDI-së.
"Nuk është aspak e vërtet se nxënësit rrinë rrugëve. Sepse nxënësit kanë arsimtarë dhe atje mbahet procesi edukativo arsimor. Për këtë mund të pyesni edhe drejtorin e shkollës. Janë thjeshtë spekulime të tipit Nedim Ramiz dhe BDI të cilët mundohen të mbulojnë pisllëqet e veta. Merret me muhabete rrugësh, ai duhet ta logorise veten që është institucion dhe nuk është për tu marrë me muhabete koloare dhe të ndryshme por ka plotësisht të drejtën që si deputet zone të shkoje dhe ti marre informatat në shkollë të Llabunishtës pse jo edhe në Komunë", tha Ziadin Sela, kryetar i Strugës.
Ndërkohë, Ramizi përkujton Selën në mbështetjen që ka marrë nga banorët e Llabunishtës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, dhe premtimin e dhënë se do të angazhohet për arsim cilësor.
"Kryetari i Strugës zoti Ziadin Sela nuk duhet shpejt të harroj përkrahjen e llabunishtarëve në zgjedhjet e kaluara lokale. Përkrahjen nga llabunishtarët e mori nga premtimi se Sela do të vazhdoj me projektin për mësim në gjuhën shqipe në Llabunishtë. Nuk duam ne llabunishtarët që të na del ndonjë problem sikurse në fshatrat tjera, që akoma nuk ka ndonjë zgjidhje, të mos përmend këtu fshatin Podgorcë", u shpreh Nedim Ramiz, deputet i BDI-së.
"Ne kemi bërë kërkesë, këtë mund tua dokumentoj me dokument që ne kemi bërë kërkesë për financime dhe punësime të reja. Para se të kërkojnë llogari prej pushtetit lokal Nedim Ramizi është pjese pushteti qendror le të mos merret me muhabete rrugësh le të shkoj në ministri të arsimit dhe le të bëj presion që atë kërkesë që e ka bë Komuna e Strugës për financime të reja, që sa më shpejt të na japim pëlqime për këto financime të reja, për këto mësimdhënës të cilët duhet të vazhdojnë të japin mësim nga klasa e 5 deri në të nëntën. Përpara se BDI-ja të merret me kësi gjërash dhe Nedim Ramizi le të japë përgjigje se pse 8 vite në pushtet nuk arriti ta zgjidhe problemin në Podgorcë", deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Strugës.
Ndryshe paralelja me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë të Strugës edhe këtë vit përballet me problemin e mos-legalizimit. Bedri Rexhallari