Mexhiti - Hani: Emrat e shkollave nuk varen nga Shehtanski

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Pavarësimi i Inspektoratit të Pushtetit Lokal, nga ministria amë ka krijuar dyshimet se Vanço Shehtanski, drejtori i Inspektoratit të fjalë, mund të pezullojë shumë vendime që vijnë nga komunat. Një i tillë, është ai i ndryshimit të emrave të shkollave, të cilat vitin e kaluar u bënë arenë e përplasjesh juridike. Shehtanski mbahet mend vitin e kaluar për akt-vendime kundër emërimit të shkollave, përfshi edhe heqjen e titullit qytetar nderi, Ramush Haradimajt nga Komuna e Tetovës. Por pavarësisht fuqizimit të rolit të Inspektoratit, me këtë status të ri të pavarur juridik, nga komuna e Çairit thonë se nuk do të lejojë ndryshim të emrave, pasi ato janë dëshirë dhe vullnet i qytetarëve.

'Çështjen e emërtimeve edhe kur e kemi vendosur, e kemi bërë duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve të Çairit, duke u bazuar në vullnetin e prindërve, arsimtarëve, drejtorëve, këshillit të komunës, pra një shumicë absolute që nuk ka bërë asgjë tjetër por vetëm ka reflektuar realitetin e ri në Komunën e Çairit dhe ne edhe kur kemi miratuar këto vendime nuk i kemi lidhë me fatin e Shehtanskit apo dikujt tjetër, kjo është vullnet i popullit dhe ky vullnet është mbi të gjitha tjerat', tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Nga ana tjetër, Ministri i Pushtetit Lokal Tahir Hani thotë se Inspektorët Shtetëror kanë mundësi vetëm të pezullojnë vendime, por jo edhe fuqinë për shfuqizimin e tyre. Madje sipas tij, Shehtanski edhe më herët nuk ka shfuqizuar dot vendime, por këtë të drejtë e ka vetëm gjykata kushtetuese.

'Edhe deri më tani Ministri i Pushtetit Lokal pavarësisht se çfarë do vendimi që merrte anulonte vendimin e Shehtanskit ose jo procedura vazhdonte në Gjykatën Kushtetuese dhe deri në vendimmarrjen e kësaj gjykate nuk ndryshonte vendimi i Inspektoratit Shtetëror, edhe në ligjin aktual ka qenë njëlloj dhe kjo procedurë nuk prekë dhe nuk cenon fare procedurën e deritanishme por vetëm bën një qartësim më të mirë në drejtim të asaj se kur ky inspektorat merr një vendim për pezullim dhe jo për anulim, sepse këta kanë të drejtë vetëm të ngrenë iniciativa deri tek Gjykata Kushtetuese se ka kushtetutshmëri akti i komunës apo nuk ka, por nuk ka të drejt të anulojë vendimin e komunës', u shpreh Tahir Hani, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Ndryshimet në ligjin për punën e inspektoratit shtetëror të pushtetit lokal u kritikuan një ditë më parë nga PDSH-ja, me aludimin se ato e bënin Vanço Shehtanskin, 'sulltan' të komunave të vendit. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form